Projektligji: Airbnb, Booking apo Marketplace do të raportojnë te Tatimet të ardhurat e shitësve
Projektligji i ri detyron platformat digjitale të raportojnë të ardhurat e përdoruesve, duke nisur nga viti 2029.
Ministria e Financave ka nxjerrë për konsultim publik projektligjin “Për shkëmbimin automatik të informacionit nga operatorët e platformave digjitale”, i cili vendos për herë të parë detyrimin ligjor që operatorët e platformave digjitale të mbledhin, verifikojnë dhe raportojnë pranë administratës tatimore të dhënat mbi të ardhurat e përdoruesve që zhvillojnë aktivitet ekonomik përmes tyre. Ligji parashikohet të hyjë në fuqi më 1 janar 2029, ndërsa raportimi i parë do të mbulojë aktivitetin ekonomik të vitit 2029.
Nisma transpozon në legjislacionin shqiptar Direktivën evropiane DAC7 dhe synon krijimin e një sistemi të shkëmbimit automatik të informacionit tatimor ndërmjet Shqipërisë dhe vendeve të Bashkimit Evropian për aktivitetet ekonomike që zhvillohen përmes platformave digjitale.
Cilat aktivitete do të raportohen
Projektligji përfshin një gamë të gjerë aktivitetesh ekonomike të zhvilluara online. Në raportim do të përfshihen të ardhurat nga dhënia me qira e pasurive të paluajtshme, dhënia me qira e mjeteve të transportit, ofrimi i shërbimeve personale dhe shitja e mallrave përmes platformave digjitale si Airbnb, Booking, Marketplace dhe platforma të tjera të ngjashme.
Detyrimi nuk bie mbi shitësit apo ofruesit e shërbimeve, por mbi operatorët e platformave, të cilët duhet të identifikojnë përdoruesit që zhvillojnë aktivitet ekonomik dhe të mbledhin informacion të detajuar për ta. Për individët do të raportohen emri, adresa, numri i identifikimit tatimor, numri i TVSH-së kur ekziston dhe data e lindjes. Për bizneset do të raportohen gjithashtu numri i regjistrimit, selia, rezidenca tatimore dhe informacioni mbi selitë e përhershme.
Çfarë të dhënash financiare do të deklarohen
Përveç identifikimit të përdoruesve, operatorët do të raportojnë edhe të dhënat financiare të aktivitetit ekonomik. Raporti vjetor do të përmbajë shumën e të ardhurave të paguara ose të kredituara për çdo tremujor, numrin e transaksioneve, tarifat dhe komisionet e mbajtura nga platforma, si dhe identifikuesin e llogarisë financiare ku janë kryer pagesat. Për aktivitetet e qiradhënies do të raportohen edhe adresa e pronës, numri kadastral kur është i disponueshëm, numri i ditëve të qirasë dhe lloji i pasurisë.
Përjashtimet nga raportimi
Projektligji parashikon edhe raste përjashtimi. Nuk do të raportohen institucionet publike, shoqëritë e listuara në bursë dhe shitësit që gjatë një viti realizojnë jo më shumë se 30 shitje mallrash me një vlerë totale që nuk kalon 2,000 euro. Gjithashtu, përjashtohen edhe operatorë të caktuar të platformave që plotësojnë kriteret ligjore për përjashtim.
Verifikimi i të dhënave dhe masat ndaj përdoruesve
Operatorët e platformave do të jenë të detyruar të verifikojnë saktësinë e të dhënave të përdoruesve përmes dokumenteve zyrtare ose shërbimeve elektronike të identifikimit të ofruara nga Bashkimi Evropian ose shtetet anëtare. Në rast se informacioni rezulton i pasaktë, platforma duhet të kërkojë korrigjimin e tij dhe dokumentacion mbështetës, si dokument identifikimi ose certifikatë rezidence tatimore.
Nëse një përdorues nuk dorëzon informacionin e kërkuar edhe pas dy njoftimeve brenda një periudhe 60-ditore, operatori i platformës do të jetë i detyruar t'i mbyllë profilin deri në përmbushjen e detyrimeve. Në rastet kur ka pagesa të papërfunduara, ato mund të bllokohen dhe, nëse mosbashkëpunimi vazhdon, platforma duhet të ndalojë riregjistrimin ose t'i ndërpresë aksesin përdoruesit.
Gjobat për operatorët dhe shkëmbimi i informacionit
Projektligji vendos një regjim të ri sanksionesh administrative për operatorët që nuk respektojnë detyrimet ligjore. Mungesa e raportimit vjetor dënohet me gjobë nga 100 mijë deri në 1 milion lekë, raportimi me të dhëna të pasakta dënohet me gjoba deri në 500 mijë lekë, ndërsa mosregjistrimi pranë administratës tatimore dënohet me 1 milion lekë. Përveç gjobave, Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve mund të urdhërojë përmbushjen e detyrimeve ose të pezullojë statusin e operatorit për qëllime raportimi deri në korrigjimin e shkeljeve.
Raportimi do të kryhet çdo vit deri më 31 janar për vitin paraardhës. Më pas, Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve do të shkëmbejë automatikisht informacionin me autoritetet tatimore të vendeve të Bashkimit Evropian ku shitësi është rezident ose ku ndodhet pasuria e paluajtshme që jepet me qira.
Sipas draftit, qëllimi i projektligjit është krijimi i një sistemi të unifikuar raportimi për ekonominë e platformave digjitale, rritja e transparencës fiskale dhe forcimi i bashkëpunimit ndërkombëtar në administrimin tatimor, në përputhje me standardet e Bashkimit Evropian.
Burimi: Ekofin.al
Më të lexuarat






k.jpg)